Lansimi i Projektit “Iniciativa e Kosovës për Përfshirje 2020 - KOSINT 2020”


Lansimi i Projektit “Iniciativa e Kosovës për Përfshirje 2020 - KOSINT 2020”

Ngjarja lansuese e Projektit “Iniciativa e Kosovës për Përfshirje 2020 - KOSINT 2020” u mbajt më 9 mars 2017. Në ngjarjen inauguruese të Projektit KOSINT 2020 ishin të pranishëm organizata të shoqërisë civile lokale dhe ndërkombëtare, dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale qeveritare.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gani Ismaili, dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Merxhan Osmani, shprehën përkrahjen për Projektin KOSINT 2020 duke u zotuar për bashkëpunim të ngushtë përgjatë zbatimit të projektit.

Projekti KOSINT 2020 është projekt i financuar nga Roma Initiatives Office (RIO) në kuadër të Open Society Foundations (OSF) dhe implementohet nga Qendra per Arsim e Kosoves - KEC në bashkëpunim me Balkan Sunflowers Kosova (BSFK), Roma & Ashkalia Documentation Center (RADC) dhe Syri i Vizionit (SiV).

Projekti KOSINT 2020, ka themeluar rrjetin joformal që përfshinë përfaqësues të katër organizatave partnere implementuese dhe pesë organizata jo qeveritare të shoqërisë civile që punojnë me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në sektoret e edukimit dhe punësimit, si dhe në përmirësimin e qasjes në shërbimet e mirëqenies sociale.

Synimet kyçe të Projektit dhe Rrjetit KOSINT 2020 janë:

  • Ndërtimi i kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për pjesëmarrje në monitorimin e reformave sektoriale, në zhvillimin e politikave dhe në planifikim buxhetor;
  • Monitorimi i reformave sektoriale në arsim, punësim dhe mirëqenie sociale, në kuadër të zotimeve të qeverisë për përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali, dhe egjiptian;
  • Zhvillimi i politikave dhe avokimi përmes ndikimit të organizatave të shoqërisë civile në politikat e reformave të arsimit, punësimit dhe mirëqenies sociale, në interes të komuniteteve rom, ashkali dhe e egjiptian.