Miratimi i Udhëzimit Administrativ Nr. 12/2017 për Themelimin dhe Funksionimin e Qendrave Mësimore nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT)


Miratimi i Udhëzimit Administrativ Nr. 12/2017 për Themelimin dhe Funksionimin e Qendrave Mësimore  nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT)

Udhëzimi Administrativ Nr. 12/2017 për Themelimin dhe Funksionimin e Qendrave Mësimore është miratuar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) më 25.08.2017. Ky Udhëzim përcakton kornizat formale brenda të cilave veprojnë qendrat mësimore, të cilat ofrojnë mësim shtesë dhe aktivitete edukative për nxënësit e moshës parafillore dhe fillore në Kosovë, në veçanti për nxënësit nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Procesi filloi në mars të këtij viti, në kuadër të Projektit KOSINT 2020, si pjesë e organizimit të diskutimeve publike për çështje të reformave sektoriale në arsimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Në proces morën pjesë aktive mbi njëzet OJQ të cilat punojnë me qendra mësimore në tërë Kosovën, dhe puna u përmbyll në qershor të këtij viti me paraqitjen e një propozimi konkret për shqyrtim nga MASHT. Falënderojmë të gjithë partnerët dhe kolegët për kontributin e tyre të vyer në procesin sfidues të hartimit të këtij dokumenti, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë bashkëpunimin, përkushtimin dhe këmbënguljen e secilit pjesëmarrës në këtë nismë, e cila ishte e vështirë por aq e rëndësishme për komunitetin e nxënësve në përgjithësi, dhe për nxënësit nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në veçanti. Funksionimi ligjërisht i strukturuar i këtyre hapësirave edukativo-arsimore do të kontribuojë dukshëm në zhvillimin e potencialit arsimor dhe shoqëror të fëmijëve. Ky është rezultat tejet pozitiv i punës së përbashkët të shoqërisë civile, dhe shpresojmë që të vazhdohet me arritje të ngjashme edhe më tej.