Monitorimi i Strategjise Sektoriale MPMS 2018-2022


Monitorimi i Strategjise Sektoriale MPMS 2018-2022

Prishtinë, me 1 shkurt, është bërë prezantimi i raportit zbatimi i masave për promovimin e punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vitin 2018, e që është raport vlerësimi i Strategjisë Sektoriale të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale 2018 –2022. Në këtë prezantim marrën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Agjencionit të Punës të Republikës së Kosovës, zyrtar komunal dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Qëllimi i këtij raporti është vlerësimi i nivelit të arritjes së rezultateve dhe të zbatimit të aktiviteteve dhe masave të parapara në Strategjinë Sektoriale të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale 2018 –2022 në lidhje me promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë gjatë vitit 2018.

Për këtë qëllim janë analizuar dokumentet strategjike, analizat, raportet vjetore dhe të dhënat e institucioneve relevante për vitet e fundit, me përqendrim të veçantë në ato të vitit 2018. Gjithashtu, përmes pyetësorit gjysmë të strukturuar janë intervistuar përfaqësuesit e institucioneve relevante publike dhe organizatat e shoqërisë civile.

Bazuar në burimet më lart, raporti përmbledh arritjet e vitit 2018 në fushën e promovimit të punësimit të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian në Kosovë, me përqendrim të veçantë tek aktivitetet, masat dhe rezultatet e parapara me Strategjinë Sektoriale të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale 2018 – 2022, e cila për këtë fushë i referohet Strategjisë për Përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Shoqërinë Kosovare 2017 – 2021.

Analizat e ndryshme tregojnë se gjendja e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është shumë e rëndë, siç përmblidhet edhe në Strategjinë për Përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Shoqërinë Kosovare 2017 – 2021. Këto komunitete kanë normë më të lartë të papunësisë dhe normë më të ulët të punësimit në krahasim me shumicën shqiptare si dhe komunitetet tjera pakicë në Kosovë.

Ky raport ka vlerësuar nivelin e zbatimit të masave, aktiviteteve, dhe rezultateve (ku kanë lejuar të dhënat) të dedikuara për përmirësimin e punësimin e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian në bazë të Strategjisë Sektoriale të MPMS 2018 – 2022 e cila për këtë çështje i referohet Strategjisë për Përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Shoqërinë Kosovare 2017 – 2021.

Gjatë vitit 2018 është shënuar përparim në disa aktivitete të kësaj Strategjie, megjithëse disa janë zbatuar vetëm pjesërisht:

Për herë të parë në raportin vjetor të APRK-së Puna dhe Punësimi për vitin 2017 ka filluar raportimi i statistikave nga SIMP për këto të tri komunitete veç e veç, gjë që mundëson monitorimin e gjendjes për tregues si numri dhe përqindja e punëkërkuesve të regjistruar, punëkërkuesve për të cilët është ndërmjetësuar punësimi, pjesëmarrësve në trajnime profesionale dhe masa tjera aktive të tregut të punës, etj.

Megjithëse nuk janë zbatuar kuota për pjesëmarrjen e këtyre komuniteteve në masa aktive të tregut të punës gjatë vitit 2018, çështja e punësimit të këtyre komuniteteve është trajtuar gjerësisht në dokumenti kryesor politikë bërës në fushën e promovimit të punësimit nga MPMS, Politika e Punësimit për Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës 2019 – 2021. Ky dokument ka vënë targete vjetore për përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali e egjiptianë në masa aktive të tregut të punës të ofruara nga APRK në vitet në vijim. Mirëpo, duhet theksuar se këto targete janë më të ulta sesa ato të parapara në Strategji, duke synuar përfshirje prej 6 për qind në vitin 2021, përderisa Strategjia parasheh përfshirje prej 10 për qind. Gjithashtu, gjatë vitit 2018 pjesëmarrja ka qenë vetëm 2.6 për qind. Meqë këto targete janë minimumi që duhet arritur, rekomandohet që të bëhen përpjekje që këto targete të tejkalohen.

Detaje të përmbushjes së masave aktive të tregut të punës dhe rekomandimet, mund t’i lexoni në raportin e publikuar: http://kosint2020.net/site/assets/files/1416/monitorimi_i_strategjise_sektoriale_mpms_2018-2022.pdf