Seminar mbi financimin publik dhe buxhetimin për popullsinë rome në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor – Integrimi i Romëve 2020


Seminar mbi financimin publik dhe buxhetimin për popullsinë rome në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor – Integrimi i Romëve 2020

Një seminar rajonal dy-ditor mbi buxhetimin për politikat e integrimit të romëve,organizuar nga Projekti për Integrimin e Romëve (RI2020) i Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), u zhvillua në Shkup më 20-21 mars 2017. Pjesëmarrësit e seminarit diskutuan rreth financimit publik dhe alokimeve buxhetore për popullsinë rome në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

"Politikat dhe buxhetet janë mënyra se si qeveritë fillojnë të përkthejnë angazhimet e tyre ndaj romëve në hapa praktikë drejt integrimit dhe barazisë. Megjithatë, shumë shpesh ata nuk arrijnë të sigurojnë që shërbimet publike t'u përgjigjen nevojave dhe prioriteteve të romëve", theksoi Orhan Usein, udhëheqës i ekipit të veprimit RI2020, në fjalimin e tij të hapjes.

"Të gjitha ekonomitë që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së kanë një përgjegjësi të përbashkët për të përmirësuar jetën e qytetarëve romë. Është e vlefshme që integrimi i romëve të vazhdojë të jetë një prioritet kyç në procesin e zgjerimit, siç u përsërit në vlerësimin më të fundit të Komisionit Evropian. Një sistem i mirë monitorimi është thelbësor për të treguar se çfarë funksionon e çfarë jo, në mënyrë që burimet e pakta financiare të mos humben. RI2020 po përpiqet të krijojë një model standard të monitorimit dhe raportimit rajonal".

Seminari i njoftoi pjesëmarrësit me parimet e sinergjive midis planifikimit strategjik dhe buxhetimit për politikat e integrimit të romëve. Seminari kishte qëllim të ngriste ndërgjegjësimin për zhvillimin e buxheteve të ndjeshme ndaj romëve, duke ofruar instrumente për buxhetimin e politikave të integrimit të romëve dhe duke shkëmbyer praktika të mira dhe të këqija në këto çështje si në nivel rajonal ashtu edhe në nivel të BE-së.

Në takim u prezantua edhe faqja e re e internetit RI2020, e cila është në dispozicion në http://www.rcc.int/romaintegration2020/.

Në këtë ngjarje u mblodhën më shumë se 60 zyrtarë qeveritarë nga Ballkani Perëndimor që punojnë në ministritë përkatëse të linjës të cilat janë përgjegjëse për pesë prioritetet e politikave (punësim, arsim, strehim, shëndetësi, dhe buxhetim), duke përfshirë ministritë e financave dhe Kontaktin Kombëtar të Romëve, Delegacionet e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Projekti i Integrimit të Romëve 2020 zbatohet nga Ekipi i Veprimit RCC-së RI2020, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian (BE) dhe Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur (OSF). RI2020 zbatohet në 6 ekonomi të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë) dhe në Turqi.